Si të gjeni lumturi në gjëra të thjeshta dhe cilat veprime janë më të rëndësishme se fjalët?!, – për këto dhe të tjera tema, do të keni mundësi të lexoni më gjerësisht në editorialin e Magazinës 4U. Stafi i revistës në fjalë ashtu sikurse muajve të tjerë, edhe në numrin e muajit shkurt, do të sjell këshilla, suksese, histori, trendet e fundit të shumë fushave si dhe mendimet e shumë lexuesve përmes rubrikave të veçuara.
Menaxherja e ‘Magazinës 4U’, Leonora Shabanaj Niksic, për Radio KFOR ka treguar se ku do të rrugëtojnë lexuesit me rubrikën ‘Shkolla e Muajit’, se si pandemia ‘CoViD-19’, nuk i ka ndaluar donacionet e KFOR-it në Kosovë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për shkrimin e veçantë që ekipi i revistës ‘4U-së’, sjell për sigurinë kibernetike: “Shkolla e Muajit në këtë numër të revistës është nga qyteti i Pejës. Është SHFMU ‘Lidhja e Prizrenit’, të cilën ne e kemi vizituar dhe përmes shkrimit sjellim tek lexuesit historikun e shkollës dhe rrugëtimin e suksesshëm arsimor të shkollës. Pandemia ‘CoViD-19’, padyshim që ka ndikuar në të gjithë fushat e jetës dhe e ka penguar zhvillimin e të gjitha aktiviteteve dhe sidomos atyre me karakter sportiv. Mirëpo, pjesëtarët e kontingjentit danez në kuadër të KFOR-it, nuk ishin të gatshëm që të hiqnin dorë nga organizimi i edicionit të radhës të marshit të tyre, tashmë tradicional në Kosovë, të njohur si “DANCON March”, përmes së cilit ata në vazhdimësi kanë realizuar projekte bamirësie. Kësaj radhe, donacioni ka shkuar për paralelen e ndarë të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘Kajtaz Ramadani’, në fshatin Gullbovc të Kijevës. Në këtë numër të ‘Magazinës 4U’, një vend të veçantë i kemi ndarë edhe sigurisë kibernetike dhe temave si: Çka është siguria kibernetike? Çka ka të bëjë siguria kibernetike dhe pse është e rëndësishme? Si dhe cilat janë llojet e kërcënimeve të sigurisë kibernetike?, – për të gjitha këto tema, lexuesit mund të mësojnë gjëra të reja duke shfletuar numrin e ri të revistës. Në numrin e ri të ‘Magazinës 4U’, nuk do të mungojnë as rubrikat e shumta të cilat do të pasurojnë njohuritë e lexuesit. Në ‘Fashion’, do të kuptoni se si të zgjedhim syzet e duhura dhe cilat janë në modë, në rubrikën ‘HI TECH’, do të mund të kuptoni për pajisjet anti-COVID, përderisa në rubrikën kushtuar filmit, lexuesit do të kenë mundësi të lexojnë për rrugëtimin e Netflix, i cili sot është një fenomen global. Cili është filmi që u ka pëlqyer me së shumti dhe cili është këngëtari i parapëlqyer i të rinjve?!… – do e kuptoni përmes rubrikës ‘Letrat e Lexuesve’, ndërsa se për temën “Çka është dashuria?”, na tregojnë të rinjtë e komunitetit shqiptar e serb, në rubrikën e ‘Pyetësorit’.”
Ndërkohë shkrimi ‘MBAJË DISTANCË: MBROJE VETEN DHE TË TJERËT!’, – risjell në vëmendje masat që duhet të respektoj secili prej nesh, në mënyrë që ta këpusim zinxhirin e përhapjes së pandemisë.