Sot, më 21 maj, kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim’, e cila mund të festohet në shumë mënyra, pasi nxjerr në pah pasurinë e kulturave të botës, nxit dialogun ndërkulturor dhe ndihmon që të gjithë anëtarët e shoqërisë të përfitojnë nga zhvillimi i qëndrueshëm.
Që prej nëntorit të vitit 2001, ‘21 Maji’ festohet si ‘Dita ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor’, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me miratimin e Deklaratës Universale për këtë tregues.
Pikat kyçe të promovimit të diversitetit kulturor konsistojnë në sigurimin e bashkëjetesës harmonike dhe gatishmërinë për të jetuar së bashku në paqe dhe mbrojtjen e diversitetit të krijimtarisë dhe shumëllojshmërisë së shprehjeve kulturore.
Kjo ditë ofron një mundësi për të thelluar kuptimin e vlerave të këtij diversiteti dhe koncepteve të mosdiskriminimit, ndërkohë që disa nga pikat kyçe të diversitetit janë: respektimi i të drejtave të njeriut, promovimi i dialogut ndërkulturor, lufta kundër racizmit, veprimtaria në mbrojtje të pakicave kombëtare, qasje kulturore ndaj HIV-AIDS, etj.