Nuk e thonë kot që të kesh një vajzë, do të thotë të pasurosh jetën me hare, të qeshura, lot, ndjeshmëri më të theksuar, por mbi të gjitha të qenit i/e bekuar me një vajzë, do të thotë ta kesh pranë miken më besnike, që do të të shoqërojë deri në fund, varësisht ku e dërgojnë dallgët e jetës.
Pikërisht sot (11 tetor), kudo në botë shënohet Dita Botërore e Vajzave, e përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila fillimisht është shpallur si e tillë në vitin 2012.
Kjo ditë ndërkombëtare synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën, në fusha të tilla si: ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, etj.
Fatime Hasani-Sadikaj, e cila ka 3 vajza, në një prononcim për Radio KFOR-in, shprehet shumë e lumtur që në jetë i ka jo vetëm 3 vajza, por 3 shoqet e saja më të ngushta, që do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës, në të mirë e në të keq:
“Po më gëzon fakti që mentaliteti ynë tashmë ka filluar të çrrënjoset për dëshirën e madhe të të pasurit domosdoshmërisht djalë në jetën e tyre. Po befasohem çdo ditë kur po dëgjoj që shumë prindër po dëshirojnë vajza. Unë nuk di si ta shpreh mirënjohjen time ndaj Zotit që më ka gëzuar me 3 vajza të mrekullueshme e të shëndetshme. Jam e përmbushur me dashuri të madhe, të cilën ato çdo ditë ma ofrojnë”, shprehet e lumtur, znj. Hasani Sadikaj, e cila do të dëshironte që çdo prind të jetë i bekuar me vajzë.
Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tre herë më shumë të kequshqyera sesa djemtë. Për nder të kësaj dite, në Kosovë do të ketë aktivitete të shumta, të cilat synojnë të promovojnë të drejtat e tyre, të cilat edhe sot e kësaj dite u mungojnë.