Sot (11 shkurt), festohet ‘Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë’, në përputhje me Objektivat e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Ishte 22 dhjetor, i vitit 2015, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, për të krijuar një ditë ndërkombëtare vjetore, për të njohur rolin e rëndësishëm që luajnë gratë dhe vajzat në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë. Kjo ditë, shërben për të ndërgjegjësuar komunitetin, por edhe vetë femrat për mundësitë dhe aftësitë që ato kanë për t’u zhvilluar, në fusha të ndryshme, si në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.
Agjenda e Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm, deri në vitin 2030, ka si qëllim rritjen e barazisë gjinore edhe në shkencë. Vajzat dhe gratë janë ato që mbajnë mbi supe barrën më të rëndë, atë të varfërisë dhe pabarazisë, janë ato që qëndrojnë në vijën e parë të ndryshimeve klimatike. Kjo agjendë, bazohet në parimin e mos lënies së askujt jashtë saj, duke përfshirë gratë dhe vajzat, që vazhdojnë të jenë sistematikisht të nën përfaqësuara, si përdoruese dhe si lidere në hapësirën shkencore, teknologjike dhe inovative.
Tregu i punës po ndryshon me shpejtësi dhe një valë e re e inovacioneve pritet të transformojë jetën në fusha të tilla si robotikë, transport, inteligjencë artificiale, bio-teknologji dhe gjenetikë.