“Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim” e cila kremtohet më 10 nëntor, që nga viti 2001, e krijuar nga UNESCO, synon të sigurojë qytetarët që të mbahen të informuar për zhvillimet shkencore.
Lidhur me këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi ligjëruesin e Departamentit të Gazetarisë, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, Alban Zeneli, i cili tha: “Ne në Kosovë duhet të vlerësojmë shkencën dhe produktet shkencore. Faktikisht, gjetjet e reja eksportohen jashtë, në revista të cilat publikohen në vende të ndryshme të botës, në gjuhë të tjera dhe rrjedhimisht njerëzit nuk informohen për gjetjet më të fundit shkencore të cilat zhvillohen në Kosovë. Ato ekstrakte të gjetjeve, eksportohen jashtë dhe si të tilla nuk mund ta përmirësojnë shoqërinë tonë, prandaj edhe “Dita Botërore e Shkencës për Paqe dhe Zhvillim”, duhet të shërbejë si një ditë kur vendimmarrësit dhe politikë bërësit në Kosovë të fokusojnë vëmendjen tek shkenca dhe gjetjet e ndryshme shkencore t’i promovojnë ato dhe t’i përdorin si argumente për politikë bërje.”
Në kohën kur pandemia globale ‘CoViD-19’, demonstroi më tej rolin kritik të shkencës në adresimin e sfidave globale, sot (10 nëntor) UNESCO do të organizojë një tryezë të rrumbullakët me temën e cila ka të bëjë me rolin e shkencës dhe të shoqërisë në trajtimin e ‘CoViD-19’.