Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), ka shpallur thirrjen për pjesëmarrje në garën për çmimin ‘FIDES’, për filantropi në Kosovë.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtoreshën Ekzekutive të Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha, e cila ka treguar se edicioni i sivjetëm i ‘FIDES’ do të mbahet online, duke respektuar masat anti-covid: “Dhurime të shumta të lidhura me efektet e virusit janë bërë dhe gjatë 2020-ës. Ka hulumtime, që sugjerojnë se dhurimet gjatë pandemive eklipsojnë dhurimet në situata normale, prandaj dhe FIQ do ta zhvillojë ngjarjen ‘FIDES 2020 online’. Çmimi FIDES, simbolizon mirënjohje publike për aktivitetet filantropike të individëve, bizneseve, OshC-të, komunave dhe përfaqesues të diasporës, të cilët në mënyrë sistematike dhe me ndjeshmëri ndaj situatës socio-ekonomike, arsimit, ambientit, kulturës dhe vlerave tradicionale, kanë mbështetur aktivitete dhe projekte të interesit të përbashkët.”
Tutje, Znj. Berisha, pati edhe një mesazh në lidhje me rëndësinë e solidarizimit dhe daljes në ndihmë atyre që kalojnë momente të vështira: “Solidariteti si një vlerë thelbësore, duhet të qëndrojë në zemër të vizionit tonë për një shoqëri ku paqja dhe zhvillim i qëndrueshëm udhëheqin, ku drejtësia mbizotëron dhe ku askush nuk lihet pas, në mëshirën e fatit.”
Thirrja për aplikim për çmimin ‘FIDES 2020’, do të jetë e hapur deri më 20 nëntor 2020, ndërsa të interesuarit mund të aplikojnë duke shkarkuar aplikacionin, të cilin e gjeni në faqen e Forumit për Iniciativa Qytetare dhe pas plotësimit, duke e dërguar të njëjtin në e-mailin: fides@fiq-fci.org