“Dita Botërore e Larjes së Duarve” u organizua për herë të parë me datën 15 tetor, të vitit 2008, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Motoja e këtij viti është “Higjiena e duarve për të gjithë”, e cila ka qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të pastërtisë individuale dhe kolektive.
“Pandemia COVID-19 na tregoi edhe një herë se sa i rëndësishëm është pastrimi i duarve”, kështu tha për Radio KFOR-in, pulmologu, Besim Morina, dhe më tutje shtoi: “Pastrimi i duarve është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtje ndaj ‘COVID-19’, mirëpo pastrimi i duarve ka shumë rëndësi edhe tek epidemia e gripit të zakonshëm apo influencës. Pastrimi i duarve në përgjithësi ka rëndësi në të gjitha sëmundjet infektive, por tek rasti i pandemisë ka fituar një rëndësi më të madhe edhe pse kuptohet mbajtja e maskës dhe mbajtja e distancës ndikon më shumë në ndërprerjen e infeksionit, por edhe pastrimi i duarve ndikon gjithashtu. Pra, mbajtja e higjienës së duarve ndihmon jo vetëm tek ‘COVID-19’, por edhe tek sëmundjet e tjera infektive.”
Larja e duarve në mënyre korrekte, me ujë dhe sapun, konsiderohet si një “vaksinë” e sigurt për mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të tjerëve.