Që nga viti 2010, data e sotme (11 mars), është caktuar në kalendar si ‘Dita Botërore e Hidraulikës’, për të njohur rolin e rëndësishëm që luan hidrauliku në shëndetin dhe komoditetin shoqëror. Kjo datë nuk kalon pa organizime, seminare dhe aktivitete në të gjithë botën, ku shkëmbehen njohuri, mësime, krijohen lidhje për të gjetur mundësi për të bashkëpunuar, në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në ujë të freskët dhe kanalizime të sigurta.
Shumë gjëra në jetë, i marrim si të mirëqena, si ujin e pijshëm dhe të pastër, tualetet dhe dushet, përderisa mbi një miliard njerëz në botë, nuk kanë qasje në furnizime të sigurta me ujë dhe në kanalizime si dhe miliona njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet që lidhen me ujin e pastër. Pikërisht kjo është arsyeja e krijimit të kësaj dite, për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rolin e rëndësishëm që luan hidrauliku në shoqërinë tonë dhe është një mënyrë për të nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të industrisë së hidraulikës.