Mendjendriturit tanë, përveç veprimtarisë së tyre, përmes së cilës kanë kontribuar me vite të tëra në aspekte të ndryshme të jetës, ata kanë lënë gjurmë edhe me thënjet e mençura të tyre. “Mësuesi është përhapësi i dritës”, ka thënë Luigj Gurakuqi, për ata që edhe në kohë të vështira kanë mbajtur gjallë arsimin dhe fjalën shqipe. Pikërisht sot, më 7 mars, kujtohet kjo ditë e veçantë ‘Dita e mësuesit”, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Përkitazi me rëndësinë që ka kjo datë dhe kënaqësinë që sjell shpërndarja e dijes tek gjeneratat e reja, na tregon mësuesja nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri, Synavere Ahmetxhekaj-Daci:
“Data e sotme është shumë simbolike, meqenëse sot nderohet puna dhe kontributi i mijëra mësuesve për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Edhe unë, duke qenë se i përkas kategorisë së atyre që mundohen dijen e tyre tua transmetojnë fëmijëve, ndjehem e bekuar që puna me nxënësit e mi, më shpërblehet përmes sukseseve që ata i gëzojnë gjatë gjithë jetës së tyre”, tha mësuesja Ahmetxhekaj-Daci për Radio KFOR-in.
Kujtojmë që më 7 mars të vitit 1887, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe, prandaj prej asaj dite, çdo 7 mars shënohet kjo ditë për të përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.