Në kohën kur globi ende përballet me pasojat që la pandemia e CoViD -19, kurrë më shumë se tani, ekspertët po i kushtojnë vëmendje shëndetit mendor. Andaj, “Dita Botërore e Shëndetit Mendor”, që është caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të shënohet më 10 tetor, sivjet bënë thirrje: “Të bëjmë shëndetin dhe mirëqenien mendore për të gjithë një prioritet global”. Në shëndetin mendor kanë ndikim shumë faktorë, e njëri me ndikimin më të madh është stresi. Pikërisht për këtë, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me Psikologen dhe Terapisten Stimuluese në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku”, znj. Vlora Fejza, e cila për stresin tregoi: “Fjala “stres” do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Disa njerëz e përcaktojnë stresin si ngjarje apo situata që shkaktojnë tek ata, ndjenjën e tensionit, presionit apo emocionet negative të tilla si ankthi dhe zemërimi. Të tjerët e shohin stresin si reagim ndaj këtyre situatave. Kjo përgjigje përfshin ndryshimet fiziologjike, si rritjen e rrahjeve të zemrës dhe tensionin muskulor, si dhe ndryshimet emocionale dhe të sjelljes. Megjithatë, shumica e psikologëve konsiderojnë stresin si një proces që përfshin interpretimin dhe përgjigjen e një personi ndaj një ngjarje kërcënuese. Rrethanat që shkaktojnë stresin janë quajtur stresorë. Stresorët ndryshojnë në ashpërsi dhe kohëzgjatje. Stresorët mund të klasifikohen në tri kategori të përgjithshme: Ngjarjet katastrofike, Ndryshimet e mëdha jetësore dhe telashet e përditshme.”
Për të gjitha këto, secilit individ duhet të mësojë të menaxhojë stresin, teknika që i mësuam nga znj. Fejza: “Të përballesh me stresin do të thotë të përdorësh mendimet dhe të veprosh për të luftuar me situatat stresuese dhe për të ulur nivelin e stresit. Shumë njerëz kanë një mënyrë karakteristike për të përballuar stresin, bazuar në personalitetin e tyre. Njerëzit që e përballojnë mirë stresin kanë tendencë të besojnë në vetën e tyre. Ata zakonisht kanë një vetëbesim të lartë, i rezistojnë zhgënjimeve, qëndrojnë optimistë dhe këmbëngulin edhe nën rrethana jo të favorshme. Më e rëndësishmja, ata zgjedhin strategjinë e duhur për të përballuar stresorët me të cilët përballen. Në të kundërt, njerëzi që përballojnë dobët me stresin kanë tendencë të kenë pak a shumë karakteristika të ndryshme të personalitetit, si vetëbesim të ulët dhe një vështrim pesimist mbi jetën.”
Për një shëndet mendor të mirëfilltë, punoni me veten dhe kërkoni ndihmë nga profesionistët, sa më mirë ta menaxhoni stresin aq më të shëndetshëm do të jeni mendërisht!