Të voziturit me kujdes është një obligim i gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, i cili parandalon aksidente të cilat për fat të keq po ndodhin për çdo ditë në vendin tonë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit policor, kanë ndodhur 32 aksidente trafiku me dëme materiale, 19 me të lënduar, e për fat të mirë në këtë periudhë nuk ka pasur aksidente trafiku me fatalitet.
Për të kuptuar më shumë rreth masave që Policia e Kosovës po merr në rritjen e vetëdijesimit për sigurinë në trafik, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Baki Kelani, i cili theksoi: “Me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete dhe masa të shtuara policore në terren, me synim po ashtu parandalimin dhe uljen e aksidenteve në trafikun rrugor. Në kohën kur pas një periudhe që kanë dominuar temperatura të larta dhe tani kur pritet të ketë ulje të temperaturave dhe reshje të shiu, apelojmë të gjithë pjesëmarrësit në trafik, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor, si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik!”
Policia e Kosovës, gjithashtu, informon se për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut,do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.