Që fëmijët të lexojnë sa më shumë, data e sotme 14 shkurti i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Dhurmit të Librit”. 14 shkurti, që përkon edhe me “Ditën e të Dashuruarve” ka për qëllim që të dhurojmë dashuri, jo vetëm tek më të vegjlit tanë, por tek të gjithë ata që duam edhe duke dhuruar një libër. Kështu tha për Radio KFOR-in edhe koordinatorja e Librarisë “Dukagjini”, Iliriana Hasaj: “Fakti që “Dita e Dhurimit të Librit” ka filluar si iniciativë në vitin 2012, ka për qëllim që sa më shumë fëmijë të kenë qasje dhe entuziazëm për librin, prandaj edhe si fokus kjo ditë ka si qëllim që sa më shumë të lexohet. Edhe ne inkurajojmë që t’u dhurohen libra fëmijëve pasi në këtë mënyrë e bëjmë fëmijën të krijojë lidhje me librin dhe ta ushqejë në të njëjtën kohë shprehinë dhe dashurinë për librin. Ka shumë mënyra se si ne mund të ndikojmë për të mirë duke dhuruar libra, andaj inkurajojmë që në “Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit të Librit”, tu dhurohen libra fëmijëve, sidomos tek ata që ndoshta janë në spitale duke u kuruar ose tek organizata sociale e strehimore. Pra ka shumë mënyra se si mund të dhurojmë librat. E në këtë datë, që përkon edhe me “Ditën e të Dashuruarve”, është ideale që të dhurojmë libër si dhuratë jo vetëm të dashurës ose të dashurit, por edhe të tjerëve, sepse libri asnjëherë nuk është një dhuratë e gabuar.”
Qëllimi i “Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Librit” është inkurajimi i të gjithëve që të dhurojnë libra fëmijëve, mikut, një anëtari të familjes ose edhe një biblioteke lokale, spitali strehimoreje ose ndonjë organizate të librit.