Organizata jo-qeveritara ‘Gaia Kosovo’, në bashkëpunim me organizatën ‘Let’s do it Kosova’, kanë organizuar një sesion informues mbi menaxhimin e mbeturinave në Kosovë dhe ndryshimet klimatike që po ndodhin në Kosovë dhe botë. Ky aktivitet do të zhvillohet nesër (19.06.19) duke filluar nga ora 18:00 në ambientet organizatës ‘Let’s Do it Kosova’ në Prishtinë.
Një një intervistë për Radio KFOR-in, kordinatori në organizatën ‘Gaia’ Granit Gashi, tregoi për projektin ‘Klima për ndryshim’ dhe për qëllimin që do të sjell ky projekt:
“Organizata jonë ka lansuar projektin ‘Klima për ndryshim’ dhe idea është të adresojmë ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në Kosovë. Në këtë sesion do të diskutojmë për dy probleme për menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë dhe do të ndërlidhim këtë problem me ndikimin e mbeturinave në ndryshimet klimatike që është problem jo vetëm i shfaqur në Kosovë, por në gjithë planetin. Do të diskutojmë po ashtu për rolin e Kosovës në këtë aspekt dhe situatën aktuale dhe kapacitetin e kompanive komunale për mbledhjen e mbeturinave, riciklimin dhe hapat që duhet të ndërmarrim në të ardhmen”, tha Gashi.
Sipas Granitit, qytetarët nuk janë të informuar mjaftueshëm për këtë tematikë dhe sipas një hulumtimi që ka bërë organizata të cilën e përfaqëson ai, rreth 40% e qytetarëve kanë deklaruar se janë të shqetësuar me ndryshimet klimatike që po ndodhin edhe në Kosovë.