Mini-maratona ‘Vrapo Babadimër’ vjen edhe këtë vit, për herë të 7-të me radhë, me synim t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë. Ky aktivitet organizohet nga OJQ ‘Projekti 5 Cent’, drejtuar nga z. Jusuf Islami dhe e përkrahur nga Komuna e Prishtinës si dhe nga biznese të ndryshme.
Për tu njoftuar më shumë me këtë projekt humanitar, i cili do të realizohet më 25 dhjetor, në studion e Radio KFOR-it, i ftuar ishte, z. Jusuf Islami, i cili shpjegoi se përgjatë këtij viti do të ketë program muzikor, vallëzim, shfaqje të baletit e shumëçka tjetër: “Vrapimi ose marshimi në ecje “Vrapo babadimër”, do të fillojë nga ora 13:00, nga rruga “George Bush” tek Katedralja dhe do të vazhdojë deri tek sheshi Skënderbe. Këtë vit, kemi vendosur që me të hollat e grumbulluara të ndihmojmë rreth 200 familje në nevojë, në rrethinën e Prishtinës, ku përzgjedhjen e familjeve, do ta bëjë vet Komuna e Prishtinës. E një pjesë tjetër e buxhetit, do të ndahet për repartet e reja në QKUK. ‘Bëhu babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje’, ky është slogani ynë i përvitshëm dhe mos të hezitojmë tu japim buzëqeshje njerëzve në nevojë!”
Mos hezitoni të bëheni pjesë e mini-maratonës humanitare ‘Bëhu Babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje’, sepse ju ndihmoni familjet në nevojë, duke blerë një kostum të Babadimrit. Nuk ka rëndësi se sa anëtarë të familjes jeni, sepse këtë vit është shtuar edhe “Pakoja familjare”, e cila kushton 20 Euro, ndërsa kostumet që blihen veçmas për të rriturit, kushtojnë nga 10 Euro, për fëmijë 5 Euro, kurse personat me nevoja të veçanta janë të liruar nga pagesa.
Kostumet e babadimrit mund t’i blini tek shtëpizat në sheshin e Prishtinës, çdo ditë, nga ora 11:00 deri në ora 17:00.