‘Prishtina Trails 2022 – Vrapo për dashni’, do të bashkojë vrapuesit individual dhe ata të komuniteteve të ndryshme, në Gërmi për një garë miqësore e cila i dedikohet shëndetit të secilit. Gara e vrapimit në shtigje, këtë vit po shënon vitin e katërt të organizimit dhe motoja e kësaj gare është ‘Ti vrapues që po e sfidon veten në 10K, rekordin personal e ke të sigurt’ dhe do të mbahet, më 09 tetor. Për më shumë hollësi rreth kësaj gare vrapimi, Radio KFOR-it, mori një prononcim nga Bashkë-Organizatori i Prishtina Trails, z. Veton Zagi: “Pikënisja e Prishtina Trails 2022, do të jetë Parku i Gërmisë, saktësisht Qendra Rekreative/Te koshat. Shtegu për secilën prej distancave do të jetë i markuar me shirita dallues si dhe do të ketë edhe udhëzues të tjerë. Pikat kontrolluese (check points) janë të domosdoshme për të validuar kohën e secilit vrapues. Vrapuesit duhet të sigurohen që koha është shënuar. Gjithashtu, pikat kontrolluese janë të furnizuara me pije freskuese dhe ushqim të nevojshëm dhe të mjaftueshëm. Në fund, secili vrapues që përmbyll garën me sukses, do të dekorohet me një medalje nga Prishtina Trails 2022”, nënvizoi z. Zagi.
Prishtina Trails, është ngjarje që organizohet nga klubi i vrapit X-Trailers që vepron kryesisht në Prishtinë dhe misioni i X-Trailers është “Promovimi i vrapimit për shëndetin e të gjithëve dhe fuqizimi i klubit në një atmosferë miqësore”.