Festivali Bamboo MayFest, i cili organizohet për të 14-in vit me radhë, nga Bamboo Bar dhe Hotel Otrant, në Ulqin, këtë vit do të fillojë nga data 28 prill dhe do të zgjasë deri më 01 maj, për t’ju ofruar muzikë dhe argëtim, karshi bukurive magjepsëse që ofron deti Adriatik.
Për të promovuar këtë festival dhe për të mësuar më shumë rreth tij, në Radio KFOR, sot (24.04.23), në emisionin e mesditës “Macchiato Lounge”, tek moderatori/gazetari Ard Gashi, ishin Gëzim Rexhepi – Giza dhe Dardan Bytyci – DJ Dandara.
DJ Dandara, i cili do të performojë në Bamboo MayFest, tregoi arsyet se përse këtë vit adhuruesit do ta shijojnë edhe më shumë këtë festival: “Ky festival, çdo vit, mundohet me sjell risi dhe këtë vit e ka sjell një frymë të re të muzikës, një kombinim i muzikës Hous me Afro, me muzikë organike, ku për momentin është muzika më e dëgjuar në botë. E dy nga artistët që do të jenë pjesë e këtij festivali, do të jenë të këtij zhanri muzikorë, që është trend për momentin në gjithë botën.”
Ditë më parë, faqja kryesore e Bamboo Mayfest publikoi Line Up-in e festivalit ku përfshihen edhe DJ të njohur vendor, si: LUMI B, ILEGAL, SECRET 47, MILLOK, DANDARA, JAJKI WISE, JAMES, KADRO, MINNISTRI, XHURIM DEMA, BAMBOO BAND ANGLER, DE1KPZ, URBAN dhe ISNE.
Se ky vit, do të jetë më i veçantë se sa të tjerët, këtë e tha edhe Gëzim Rexhepi – Giza: “Këtë vit kemi arritur marrëveshje me disa DJ ndërkombëtar, vlen të ceken se janë: Cristiano dhe Sheena Savage, burrë dhe grua, të cilët vijnë nga Meksika. Ka me qenë edhe Aaron Sevilla, një DJ i cili vjen nga Meksika gjithashtu, ku tri vitet e fundit ka fituar një mbështetje të madhe nga shumë DJ, të cilët janë trend në botë. Kemi edhe DJ Illegal, i cili vjen nga Çekia me zhanret muzikore Afrobeats e RnB.”
Numri i të rinjve që e ndjekin këtë festival, është shumë i madh, prandaj të gjithë fansat e këtij festivali duhet t’i blejnë biletat më herët. Biletat janë të ndara në dy pako, pako që blihen ditore tek hyrja e festivalit, tek Hotel Otranto si dhe biletat që blihen me fjetje, me mëngjes dhe me darkë, ato mund të blihen në Bamboo Bar ose në Brasserie Proka, në Prishtinë.