Duke i parë si një problem në rritje e sipër në të gjithë botën sëmundjet dhe infeksionet që janë gjithnjë e më rezistente ndaj antibiotikëve, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që nga viti 2015, organizon “Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët” e cila organizohet nga data 18 deri më 24 nëntor.
Java Botërore e Ndërgjegjësimit për Antibiotikët ngre vetëdijen tonë për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe se si komuniteti mjekësor po na edukon për përdorimin e duhur të këtyre barnave që luftojnë sëmundjet. OBSH përdorimin e antibiotikëve e përkufizon kështu: “Rezistenca ndaj antibiotikëve ndodh kur bakteret ndryshojnë në përgjigje të përdorimit të këtyre barnave. Janë bakteret, e jo njerëzit apo kafshët, që bëhen rezistent ndaj antibiotikëve.”
Për të mbajtur nën kontroll këtë problem global, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përshkruar pesë synime për rezistencën globale ndaj antibiotikëve, duke përfshirë: rritjen e ndërgjegjësimit, rritjen e monitorimit dhe kërkimit, reduktimin e infeksioneve, përdorimin më të mirë të barnave antimikrobiale dhe angazhim për “investime të qëndrueshme”.