Përmes një postimi në Facebook-un zyrtar të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, bëhet e ditur se ky festival do të mbahet së shpejti, mirëpo pa dhënë data adekuate.
Lidhur me këtë festival të përvitshëm, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Organizatës “Integra”, një prej partnerëve të festivalit, regjisorin Kushtrim Koliqi, i cili enkas për Radio KFOR-in tregoi se kur dhe ku do të mbahet ky festival: “Rreth datës 20 tetor, për katër ditë me radhë, ky festival do të mbahet në Beograd. Po shpresoj se në fillim të tetorit do ta kemi më të qartë çështjen e datave fikse. Si çdo vit tjetër, në Beograd shkojmë me prodhimet artistike më të mira të Kosovës. Kësaj radhe kemi kuruar paksa programin por për këtë nuk mund të ju them saktë si dhe çka, por sido që të jetë mund të garantoj që Kosova atje do të prezantohet në mënyrën më të denjë. Përveç programit artistik i kemi edhe dy debate, ku i ftojmë ekspertët e fushave të ndryshme për të trajtuar tema që janë të rëndësishme për të dyja vendet.”
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike, organizohet që nga viti 2014, duke prezantuar skenën kulturore të Prishtinës dhe Beogradit, në Beograd dhe Prishtinë, duke krijuar një traditë të bashkëpunimit dhe mbledhjes në një hapësirë të vetme kulturore, e cila indirekt do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Këtë vit, për shkak të pandemisë COVID-19, ky festival i cili organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe Organizata “Integra” në Kosovë, do të mbahet vetëm në Beograd.