“Njohja e gjuhëve të huaja është porta drejt dijes”, është kjo njëra prej qindra e mijëra thënieve, që e shpreh rëndësinë e mësimit të gjuhëve të ndryshme. Komunikim ndërkulturor, zhvillim i trurit, mundësi më të shumta profesional, etj., janë vetëm disa nga të mirat që na i sjell mësimi i gjuhëve të huaja.
Por, se cilat janë gjuhët që kërkohen më së shumti të mësohen në Kosovë, Radio KFOR-i ka zhvilluar intervistë me mësimdhënësin e gjuhës angleze dhe shqipe, në New Age School, z. Ruzhdi Krasnqi: “Në shkollën tonë, përpos gjuhës angleze, fëmijët dhe të rriturit mësojnë edhe gjuhë të tjera, si gjuhën gjermane e po ashtu tek ne, kryesisht të huajt, mësojnë edhe gjuhën shqipe. Që të tri gjuhët mësohen në mënyrë intensive në New Age School. Sa i përket interesimit, gjuha angleze dhe gjuha gjermane janë gjuhët më të kërkuara në shkollën tonë.”
Nga ana tjetër, mësimi i gjuhëve të huaja është rekomandim edhe i psikologëve. Psikologe, Qëndresa Dobërdolani-Demolli, për Radio KFOR-in thotë: “Fillimi i hershëm i mësimit të gjuhëve të huaja është i dobishëm, pasi truri i fëmijëve është më fleksibël dhe i aftë për të përvetësuar gjuhë të reja më lehtë gjatë fëmijërisë. Duke e ditur rëndësinë e gjuhëve të huaja, kam filluar ta dërgoj vajzën në kursin e gjuhës angleze që të jetë e gatshme dhe e aftë që të hulumtojë gjërat që ajo dëshiron. Mësimi i gjuhëve të huaja, gjithashtu zhvillon aftësitë e fëmijës që të njohë dhe rritë oratorinë dhe inteligjencën.”
Ndërkohë, nxënësja në shkollën “Hasan Prishtina”, 9 vjeçja Borea Demolli, na tregoi pse pëlqen pikërisht mësimin e gjuhës angleze: “Unë kam shprehur dëshirën që të mësoj gjuhën angleze, pasi e dua dhe më intereson shumë bota e kafshëve dhe emisionet të cilat i përcjelli, janë në gjuhën angleze. Po ashtu mësimi i gjuhës angleze ma ka lehtësuar komunikimin me fëmijët e tezës sime, të cilët jetojnë në Angli.”
Nga të mësuarit e gjuhëve të huaja, ka përfitime të gjera dhe të shumëllojshme që na ndihmojnë në zhvillimin tonë personal dhe profesional.







