Së fundmi, në Kosovë, është shënuar një rritje e të infektuarve dhe hospitalizuarve me CoViD-19. Në njoftimin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është bërë e ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar edhe 392 raste pozitive me CoViD, shifra këto sipas tyre mjaft shqetësuese. Për të mësuar se si është situata aktuale me ‘CoViD-19’ në Klinikën Infektive, Radio KFOR-i ka kontaktuar infektologun, Dr. Arben Vishaj: “Në Klinikën Infektive aktualisht i kemi 101 pacientë. Kemi një rritje të lehtë të numrit të personave të spitalizuar. I kemi tre pacientë të intubuar, ndërsa diku rreth 70 pacientë janë me oksigjeno-terapi. Kjo rritje, është rritje e lehtë, por nuk është ndonjë signifikantë shumë e madhe, ndoshta kjo është sepse klinikat që kanë qenë për CoViD në bllokun internistik janë mbyll, kanë qenë diku 3-4 klinika me pacientë, që janë mbyll. Po ashtu, në Mjekësinë Sportive që ka pasur shumë më shumë pacientë, tani ka shumë më pak dhe këta pacientë që vinë nga klinikat tjera, janë spitalizuar tek ne dhe kjo ka shkaktuar rritjen.”
Me gjithë këtë situatë, Dr. Vishaj edhe njëherë ka rikujtuar masat parandaluese që duhet respektuar: “Edhe më tutje vlen parimi i shumë folur: distanca, maska, e higjiena dhe mos grumbullimi në vende të mbyllura. Një rekomandim tjetër që e kisha dhënë është për pacientët, që nëse e vërejnë se kanë vlera të oksigjenimit nën 90 dhe të cilët kanë një rritje të frekuencës së pulsit të zemrës, të lajmërohen sa më parë që është e mundur te institucionet shëndetësore.”
Sipas statistikave të IKSHPK-së, numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 58.088 raste, ku 5.679 prej të cilëve vazhdojnë të jenë aktivë, me gjithsej 1.456 raste të vdekjes dhe 50.953 të tjerë të shëruar nga CoViD-19.