Pas shumë javësh stabiliteti me kovid në Kosovë, muaji gusht ka filluar me rritje të rasteve pozitive dhe duket që një valë e re infektimesh më COVID-19, është e pashmangshme. Këtë e dëshmojnë statistikat e dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ku nga 1 gushti në vazhdimësi kemi pasur numër dy e tre shifror të të infektuarve. Prandaj, duke e parë këtë rritje të rasteve, Specialisti i Pomologjisë dhe Mjekësisë Familjare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, z. Arbër Ismaili edhe njëherë ka bërë thirrje për vaksinim: “Qytetarë të nderuar, ju lutem vaksinohuni, pasi vaksinimi është efektiv dhe i sigurt. Jemi dëshmitarë të rritjes së numrit të rasteve pozitive me CoViD-19 në Kosovë, andaj vaksinimi është çelësi i zvogëlimit të numrit të të infektuarve, rrjedhimisht luftimit të CoViD-19. Vazhdoni të respektoni masat anti-CoViD dhe vaksinohuni, për të mirën e shëndetit tuaj, të familjarëve dhe mbarë shoqërisë.”
Ndërkohë, sa i përket vaksinimit, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se në takim me përfaqësuesit e tyre me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të mbajtur javën e shkuar, është marr vendim që vaksinimi me vaksinën anti-COVID, të jetë i obligueshëm për ata që do të marrin pjesë në dasma, klube të natës dhe qendra tregtare.