“Sa më shumë gjuhë di, aq më shumë vlen”, me këtë thënie e nis rrëfimin e saj për Radio KFOR-in, zonja Nora Bezera, 32 vjeçe, e cila ka lindur dhe ka jetuar në Beograd, për plot 27 vite.
Znj. Nora, e cila ka përfunduar studimet master për gjuhë, letërsi dhe kulturë në Universitetin e Beogradit, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe. Që nga viti 2017, ajo punon edhe si lektore në Katedrën e Albanologjisë në Beograd, derisa që nga 2010-ta, në mënyrë aktive merret me përkthim dhe bashkëpunon me shumë agjenci dhe OJQ në Kosovë dhe rajon. Njohjen e dy gjuhëve, të cilat njëkohësisht janë edhe gjuhë zyrtare në Kosovë, znj. Nora e vlerëson si pasuri të saj: “Në kontekstin kosovar, njohja e gjuhëve në një vend multietnik është përparësi e jashtëzakonshme në çdo aspekt jetësor”.
Në rrëfimin e saj për Radio KFOR-in, tutje ajo përmend përvojat miqësore me komunitetet tjera në Kosovë dhe ndihmën që njohja e më shumë gjuhëve ia ka ofruar gjatë komunikimit me ta: “Së pari më është pasuruar jeta. Me njohjen e dy gjuhëve, ju jo vetëm që jeni në gjendje ta kuptoni një serb, por gjithashtu mund ta kuptoni, pothuajse çdo pjesëtar të komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kam mësuar shumë për jetën e tyre, traditat dhe zakonet. Jam në gjendje t’i kuptoj dhe të më kuptojnë, pa ndonjë keqkuptim. Me njohjen e dy gjuhëve zyrtare, përveç kësaj ane shoqërore, mu hapën edhe shumë mundësi për punë. Sot, bashkëpunoj me disa agjenci të përkthimeve dhe me disa organizata jo-qeveritare. Mundësitë janë të shumta, sidomos në Kosovë, ku gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë dy gjuhë zyrtare në nivel qendror”.
Znj. Bezera, është ndër shembujt që mund ta ndjekin të gjithë të rinjtë në Kosovë, në lidhje me mësimin e sa më shumë gjuhëve, gjë që ju ofron qasje më të lehtë në rrugën drejt suksesit.