Nëpërmjet edukimit dhe informimit, të rinjtë mund të ndryshojnë perceptimet dhe sjelljet e shoqërisë në përgjithësi. Ata mund të promovojnë kulturën e paqes dhe të dialogut nëpërmjet shkollave, universiteteve, sportit, artit, mediave sociale, e shumë fushave të tjera. Roli i të rinjve në ndërtimin e paqes është shumë i rëndësishëm, ata shpesh sjellin perspektiva dhe ide të reja për zgjidhjen e konflikteve dhe për proceset e paqes. Një gjë e tillë bëhet edhe përmes sportit, e shembulli më i mirë i gjithë kësaj është Klubi Futbollistik i Vajzave KFV- Prishtina, i cili ka mbledhur vajza të kombësive të ndryshme, që jetojnë në Kosovë.
Një nga vajzat e klubit, është edhe Engjullusha Tasholli, e cila për Radio KFOR-in, tha: “Unë luaj në këtë klub qe dy vite dhe mendoj se të gjithë duhet të merremi me sport, me u shoqërua me njëri tjetrin, të bëjmë miq të kombësive të ndryshme e vendeve të ndryshme. Ne këtu jemi të gjitha shoqe me njëra tjetrën dhe mendoj se bashkimi është një prej gjërave më të rëndësishme, e këtë ne e bëjmë përmes sportit”.
Të njëjtin mendim kishte edhe e vajza tjetër e klubit KFV- Prishtina, Amina Zekic: “Pavarësisht se në cilin qytet shkojmë, ne kemi miq, sepse futbolli gjithmonë na bashkon. Pas lojës, gjithmonë, shkëmbejmë adresat tona në rrjetet sociale, si në Instagram, Snapchat, e kur kemi kohë edhe dalim dhe kalojmë kohë bashkë.”
Angazhimi i të rinjve në ndërtimin e paqes është jetik për të ardhmen e qëndrueshme dhe prosperuake të shoqërive tona. Ata kanë potencialin për të krijuar një botë më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.







