Shkenca nuk është vetëm burim i zhvillimit dhe inovacionit, por edhe një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e një bote më paqësore dhe më të sigurt. Çdo vit, nga data 9 deri më 15 nëntor, shënohet ‘Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes’, e cila synon të vë në pah rolin e kërkimit shkencor, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në promovimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kjo javë u shpall nga Kombet e Bashkuara në vitin 1986, me synimin për të nxitur bashkëpunimin shkencor ndërmjet shteteve dhe për të promovuar përdorimin e njohurive shkencore në shërbim të njerëzimit.
Përmes kërkimit dhe inovacionit, shkenca kontribuon në adresimin e shumë sfidave globale, si parandalimi i konflikteve, mbrojtja e mjedisit, përballimi i krizave shëndetësore dhe zvogëlimi i pabarazive. Kjo javë na rikujton se dija dhe bashkëpunimi janë vlera që tejkalojnë kufijtë shtetërorë. Kur shkenca përdoret me përgjegjësi dhe në të mirë të përbashkët, ajo bëhet një urë e rëndësishme drejt paqes, mirëkuptimit dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.







