Për të kundërshtuar abuzimet ndaj të moshuarve dhe për të ndërgjegjësuar njerëzimin për trajtim me dinjitet të tyre, sot (15 qershor) në gjithë botën, shënohet ‘Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Abuzimin e të Moshuarve’, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Sot kujtojmë se sa e rëndësishme është të ndajmë kohën tonë, për të vizituar të dashurit tanë në moshë, që jo vetëm të kalojmë kohë të çmuar me ta dhe të mësojmë prej tyre, por gjithashtu t’u japim atyre qëllim, pasi marrëdhëniet e shëndosha dhe vizitat, janë thelbësore për një plakje të shëndetshme. Për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i, mori një prononcim nga z. Ismet Stublla: “Ne s’kemi me jetu aq sa kemi jetu deri tash, kështu që në këtë moshë nuk kërkojmë shumë. Ne kemi nevojë veç për dashni, për respekt, që mos me ndje vetminë, por me ditë që kemi njerëz që na dojnë. Një këshillë të rinjve; – Mos harroni që edhe ju keni me mbërri në pozicionin tonë e edhe ju keni me u plakë dhe që të mos pendoheni nesër, na trajtoni neve me dashni.”
Psikologët dhe sociologët rekomandojnë që të moshuarve tu dhurojmë sa më shumë dashuri, respekt dhe kujdes dhe nëse nuk mund t’i vizitojmë fizikisht edhe një telefonatë gjatë ditës, për ta do të ishte shumë domethënëse.