Javëve të fundit në Kosovë, fatmirësisht kemi pasur një situatë shumë më stabile, sa i përket situatës me pandeminë megjithatë, institucionet shëndetësore bëjnë thirrje për respektim të masave dhe vaksinim, kjo duke marr parasysh faktin se që nga fillimi i pandemisë së CoViD-19, në vazhdimësi kemi pasur goditje me valë të reja infektimesh. Thirrjet që masat kundër CoViD-19 të respektohen edhe përkundër rënies së numrit të të infektuarve me CoViD-19, përmes Radio KFOR-it i ka bërë edhe Pulmologu Dr. Besim Morina: “Përkundër faktit që ditëve të fundit kemi pasur numër më të vogël të rasteve të reja me CoViD-19, të gjithë qytetarët duhet ta dinë që rreziku nuk është larguar pasi që mundësia e rishfaqjes së rasteve të reja dhe rritjes së numrit të të infektuarve ekziston, është permanent. Prandaj, e vetmja mënyrë që ky rrezik të minimizohet dhe të shkojë drejt eliminimit, është që të gjithë ata që ende nuk janë vaksinuar, ta bëjnë një gjë të tillë si dhe nga të gjithë ne, të respektohen masat kundër përhapjes së virusit.”
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në 24 orët e fundit (02.11.2021) në vendin tonë 21 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me CoViD-19, ndërkohë numri i qytetarëve që janë vaksinuar me dozën e dytë shkon mbi 730 mijë.