‘Kosova Theatre Showcase’ është ngjarje vjetore e teatrit, ku si qëllim kanë promovimin e punës teatrore që prodhohet në Kosovë, para një audience të gjerë ndërkombëtare. Rreth 50 mysafirë ndërkombëtarë, që përfshijnë kritikë të teatrit, programues të festivaleve dhe përzgjedhës të festivaleve të rëndësishme të teatrit në botë, do të vijnë në Prishtinë gjatë këtyre ditëve për të parë punën teatrore që prodhohet në Kosovë.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, menaxherja e programit nga Qendra Multimedia, Aurela Kadriu, ka dhënë detaje rreth shfaqjeve të këtij edicioni të ‘Kosova Theatre Showcase’: “Showcase si ngjarje ka për qëllim që të krijojë dhe të hapë rrugë për prodhimet lokale të teatrit në Kosovë si dhe të krijojë ura bashkëpunimi, për tu ekspozuar edhe në festivale ndërkombëtare. Duhet përmendur premierën e shfaqjes “Balkan Bordello”, një bashkëpunim ky shumë ambicioz i Qendrës Multimedia me Teatrin ‘La MaMa’ të New York-ut, Teatrin ‘Atelje 212’ nga Beogradi si dhe ‘My Balkans’ që është fondacion i përbashkët nga New York-u dhe Beogradi. Shfaqja është një produksion shumetnik për faktin se autori dhe regjisorja janë nga Kosova, kurse rolet në anën tjetër luhen nga aktorët që vijnë nga SHBA, Beogradi dhe Kosova.”
Shfaqja ‘Balkan Bordello’ do të ketë premierën botërore nesër, me 3 nëntor në Prishtinë, për të vazhduar pastaj në kuadër të ‘Kosovo Theatre Showcase’, në Gjilan dhe Ferizaj, ndërsa gjatë nëntorit shfaqja do të luhet edhe në Tiranë (6 nëntor), Beograd (8 dhe 11 nëntor) para se të shfaqet edhe në teatrin prestigjioz La MaMa në New York, gjatë marsit të vitit të ardhshëm.