Vitamina D është ndër vitaminat kryesore dhe të domosdoshme për rregullimin e nivelit të kalciumit dhe fosforit në organizmin tonë. Trupi ynë nuk e prodhon vetvetiu këtë vitaminë, ndërsa burimi kryesor i saj janë rrezet e diellit. Se sa është e rëndësishme kjo vitaminë për organizmin e njeriut, sidomos në stinët me më pak diell, për Radio KFOR-in tregon trajneri i shëndetit, Gzim Hajrizi: “Nga fundi i marsit ose fillimi i prillit deri në fund të shtatorit, shumica e njerëzve duhet të jenë në gjendje të marrin të gjithë vitaminën D të nevojshme nga rrezet e diellit. Por midis tetorit dhe fillimit të marsit ne nuk marrim mjaftueshëm vitaminë D nga rrezet e diellit. Prandaj, duhet të konsumojmë më shpesh ushqime të pasura ne vitamine D, si: peshk – të tilla si salmon, sardele, pastaj të verdhat e vezëve, kërpudhat, etj.”
Se cilat janë përfitimet e vitaminës D, z. Hajrizi, tregon: “ Vitamina D ka role të shumta në organizëm. Ajo ndihmon në: përforcimin e kockave dhe të dhëmbëve, fuqizimin e sistemit imunitar, rritjen e aktivitetit dhe mirëqenien e sistemit nervor, mirëfunksionimin e mushkërive dhe sistemit kardiovaskular si dhe uljen e problemeve të fertilitetit.”
Mungesa e vitaminës D është e lidhur me këto situata shëndetësore: dobësi muskulore, psoriazë, sëmundje kronike të veshkave, diabet, sëmundje të dhëmbëve, sëmundje të zemrës, depresion etj.