Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Udhëheqësin e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, z. Faik Hoti, në lidhje me rëndësinë e vaksinimit dhe mbrojtjes nga CoVid-19, të cilën mund ta gjeni më poshtë:
Radio KFOR-i: Sa është i rëndësishëm vaksinimi?
Z. Faik Hoti: Vaksinimi sot është arma më efektive për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit dhe për të siguruar një mbrojte për vetveten, për familjen dhe komunitetin si dhe për të arritur atë që është e rëndësishme në ballafaqim me pandemi, që njihet si imunitet kolektiv.
Vaksinimi përveç si mbrojtje e drejtpërdrejtë në aspektin shëndetësor, si shoqëri na mundëson edhe ti mbajmë shkollat e hapura, ta kemi ekonominë funksionale, të sigurojmë lëvizjen e lirë dhe të sigurojmë një mirëqenie të plotë, sidomos në këtë kohë kur pasojat e kovidit janë prezentë dhe priten të jenë për një kohë të gjatë.
Është shumë me rëndësi që qytetarët për informacion të marrin burimet kryesore të informacioneve që jepen nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, OBSH dhe çfarëdo që ka rreth vaksinave, ne besojmë që përmes këtyre burimeve ata mund ti gjejnë dhe të mos bien pre e konspiracioneve, të cilat e dëmtojnë procesin e vaksinimit si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet kudo që ato përhapen.
Nëse sot dikush nuk vaksinohet, sinqerisht kjo do të ishte një lloj mosrespektimi për jetën e vet, por edhe mosrespektim ndaj njerëzve të tjerë të cilët duan të jenë të mbrojtur dhe vaksinimin e ushtrojnë si një të drejtë të tyre. Duke u bazuar kështu edhe në fakte dhe në dëshmi edhe në rezultatet që vaksinimi ka prodhuar kudo në botë, sepse falë vaksinimit është arritur që pasojat e pandemisë COVID -19, të reduktohen në një përqindje bukur të madhe, do të thoshim.
Radio KFOR-i: Sa janë të informuar qytetarët për rëndësinë e vaksinimit?
Z. Faik Hoti: Realisht informimi për rëndësinë e vaksinimit dhe përfitimit që sjell ky proces, kanë ardhur duke u përmirësuar, p. sh. Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK dhe zyra e OBSH në Prishtinë, kanë kryer 5 runde të hulumtimeve rreth perceptimeve të qytetarëve ndaj vaksinimit.
Në qoftë se e shohim rundin e parë, që është zhvilluar në Tetor-Nëntor 2020 dhe rundin e 5-të, që është kryer në Qershor-Korrik të vitit 2021, shohim që ka një progres të madh. Do të thotë se është reduktuar dukshëm shkalla e atyre që hezitojnë për tu vaksinuar. Megjithatë si institucione, ne kemi dëshirë që të drejtën për tu vaksinuar ta ketë secili dhe këtë mundësi që tashmë është shumë reale dhe mund të realizohet fare lehtë, duke qenë që ka vaksina të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për termine.
Nëse shohim rrjedhën dhe ecurinë se si ka ecur vaksinimi në Kosovë, duke qenë se kemi filluar pothuajse të fundit në rajon që të vaksinohemi, mund të themi që muajt e fundit kemi shënuar rezultate mjaft të mira, sidomos gjatë muajve të verës. Mirëpo, ritmi i vaksinimit ka qenë më i ulët sidomos gjatë muajve tetor dhe nëntor, çka na jep të kuptojmë që kemi nevojë të punojmë edhe më shumë me komunitetin në mënyrë që edhe ata që ende nuk janë vaksinuar, ti bindim që kjo është rruga e drejtë për tu ballafaquar me COVID -19.
Radio KFOR-i: Sa kemi të vaksinuar deri më tani dhe si po shkon ky proces?
Z. Faik Hoti: Nëse e shohim nivelin e vaksinimit në raport me numrin e përgjithshëm të popullatës në Kosovë, atëherë me të paktën një dozë kemi 48% të popullatës, ndërsa me dy doza 42.7% , që është një përqindje e mirë krahasuar me shtetet e rajonit, por nuk është një përqindje në nivelin që e kanë shtetet e Evropës apo shtetet e zhvilluara.
Radio KFOR-i: A mund të na tregoni diçka më shumë për vaksinimin e të rinjve, ku mund të vaksinohen dhe a ka hezitim për vaksinim tek këto gjenerata?
Z. Faik Hoti: Gjithmonë ekziston një kategori e atyre që hezitojnë, mirëpo numri i dozave të administruara, sidomos tek kategoria e studentëve, kemi mbi 158 mijë doza të administruara, na flet që megjithatë të rinjtë në Kosovë, në një shkallë bukur të mirë, i janë përgjigjur procesit të vaksinimit edhe pse ka nevojë edhe më tutje të vaksinohen.
Ajo çfarë është e rëndësishme për të rinjtë, është që ata mund ta marrin vaksinën në çdo kohë, pa caktuar termin në secilën komunë dhe vendbanim.
Mund të vaksinohen nëpër qendra statike, përmes ekipeve mobile dhe diçka tjetër që së fundmi është krijuar, është që edhe ata që nuk kanë shtetësi të Kosovës, por që jetojnë në Kosovë, çoftë nga ndonjë mision që punojnë apo që vijnë në Kosovë, mund ta bëjnë vaksinimin pa asnjë hezitim edhe në Kosovë. E rëndësishme është që vaksina ka të mjaftueshme. Kosova përdor dy vaksina që tashmë janë treguar të sigurta dhe efikase që janë Pfizer BioNTech dhe AstraZeneca dhe arsyet për tu mos vaksinuar nuk ekzistojnë.
Radio KFOR-i: Cili është mesazhi juaj për qytetarët që ende nuk janë vaksinuar?
Z. Faik Hoti: Mesazhi ynë është shumë i thjeshtë. Rruga më e thjeshtë, më pak e kushtueshme dhe që sjellë përfitime më të mëdha për qytetarët në ballafaqim me COVID-19, është vaksinimi. Në veçanti u bëjmë thirrje që të vaksinohen kategoritë e moshave të reja, shtatzënat dhe u bëjmë thirrje edhe prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse e dini që procesi i vaksinimit është i hapur për të gjitha moshat edhe për moshën mbi 12 vjeçare dhe e konsiderojmë këtë si rrugën me koston më efektive, për tu ballafaquar me COVID-19.
Ne aktualisht kemi një situatë të qetë sa i përket situatës me COVID-19, mirëpo kjo nuk garanton stabilitet, prandaj mënyra më e mirë për t’u mbrojtur, për ti mbajtur shifrat e ulëta të infektimit, e para se të gjithash për të mos përfunduar me fatalitet, është që të vaksinohemi. Duke zbatuar në të njëjtën kohë një qasje të kombinuar, pra duke mbajtur higjienën individuale dhe kolektive, duke bartur maskën si dhe duke zbatuar çdo vendim që e sjellë Qeveria e vendit në raport me COVID-19.