Duke vlerësuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore, Këshilli Ndërkombëtar për Monumente dhe Vendbanime (ICOMOS), qysh nga viti 1982, në datën e sotme, 18 prill, ka shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Vendbanimeve”, e cila më vonë në vitin 1983, u aprovua edhe nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s.
Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, z. Samir Hoxha, i cili theksoi: “Trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, ku përmes kujtesës historike e njohim dhe e nderojmë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët ndër shekuj. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë ata që dita ditës, po behën pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për ta ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore.”
Trashëgimia kulturore e secilit vend del nga kultura, traditat, zakonet dhe historia e banorëve të atij vendi, prandaj, duhet ruajtur dhe mbrojtur për gjeneratat e ardhshme!