Në kalendarin e ditëve që duhet shënuar, një ditë i është ndarë edhe ‘Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientëve’, e cila shënohet sot, me 17 shtator. Në këtë ditë bëhen thirrje për solidaritet global dhe veprim të bashkërenduar nga të gjitha vendet dhe partnerët ndërkombëtarë, për të përmirësuar sigurinë e pacientëve.
Kjo ditë bashkon pacientët, familjet, kujdestarët, komunitetet, punonjësit shëndetësorë, drejtuesit e kujdesit shëndetësor dhe politikë-bërësit, për të treguar përkushtimin e tyre për sigurinë e pacientëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2019, kishte miratuar rezolutën ‘WHA72.6’, mbi veprimin global për sigurinë e pacientit, duke u kërkuar shteteve anëtare të njohin sigurinë e pacientëve, si një prioritet shëndetësor në politikat dhe programet e sektorit shëndetësor.







