“Dita e Tokës” e cila festohet më 22 prill, që nga viti 1970, zanafillën e ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një thirrje paqësore për një reformë mjedisore, pas një derdhjeje masive të naftës në brigjet e Kalifornisë. Duke parë rëndësinë e shënimit të “Ditës së Tokës”, vit pas viti, vende të ndryshme në botës shënojnë këtë ditë, duke ofruar programe të ndryshme interesante rreth rëndësisë së shëndetit të planetit, e cila lidhet direkt me jetën e njeriut.
“Përgjatë kësaj feste të gjithë ne duhet të reflektojmë”, kështu tha për Radio KFOR-in drejtori i organizatës “Let’s Do It Kosova”, z. Luan Hasanaj dhe në lidhje me shënimin e kësaj dite, ai më tej shtoi: “Ne jemi dëshmitar që toka vazhdon të jetë e ndotur, vazhdon të keqtrajtohet prej një pjese të madhe të shoqërisë, andaj kjo ditë do të duhej që të ndikonte tek secili, për të menduar se cili mund të ishte kontributi i gjithsecilit për të pasur një tokë më të mirë. Pra, pavarësisht kudo që jemi në organizata, institucione apo media, secili do të mund ta jepte një kontribut, që toka të jetë më e pastër, sepse kur toka është e pastër edhe ne jemi të shëndetshëm.”
Mbrojtja e tokës, jo vetëm përgjatë ditës së saj, përbën një kusht themelor në zhvillimin e shoqërisë, duke ndihmuar në uljen e ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës!