Gjërat më dobiprurëse për mirëqenien e një shoqërie vijnë kur të rinjtë e komuniteteve të ndryshme bashkojnë forcat dhe kreativitetin e tyre për të sjellur projekte, nga të cilat përfitojnë të gjithë, pa dallim.
Një gjë të tillë, në baza ditore, e bëjnë anëtarët e Organizatës Joqeveritare ‘United Youth Task Force’ të cilët vijnë nga komunitete të ndryshme në Kosovë, por që po bashkëpunojnë përtej vijave etnike apo barrierave të tjera, me qëllim të avokimit për përmirësimin e jetës së të rinjve në Kosovë.
‘Youth T.R.A.I.N’ është projekti i radhës që po implemetohet në 10 komuna të ndryshme të Kosovës. Për të ditur më shumë rreth këtij projekti, Radio KFOR-i kontaktoi bashkëthemeluesen e Organizatës Joqeveritare ‘United Youth Task Force’, Fatlinda Daku: “Qëllimet kryesore të këtij projekti janë forcimet e rolit dhe të kapaciteteve të ‘Këshillave të Veprimeve Rinore Lokale’, për të ndikuar më shumë tek vendimmarrësit lokalë, e gjithashtu është edhe krijimi i një urë lidhëse në mes të rinisë dhe strukturave rinore dhe gjithashtu autoriteteve lokale, pasi që e kemi vërejtur që ka shumë pak komunikim mes tyre. Tjetër, është edhe rritja e aftësive të KVRL-ve, organizatave rinore që ta mbështesin bashkëpunimin multietnik. Pastaj, është mbështetja e vetë të rinjve për të promovur vullnetarizmin, sidomos gratë e reja që të jenë më shumë në procese vendimmarrëse”.
Radio KFOR-i kontaktoi edhe Andjela Mirkovic, e cila po ashtu është e angazhuar në këtë Organizatë: “Aktivitetet tona kanë për qëllim diskutimin rreth ndërtimit të besimit dhe bashkëpunimit në mes të komuniteteve. Përmes punës që bëjnë të rinjtë, njoftohemi se si të luftojmë paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në mesin e të rinjve në Kosovë, të flasim më shumë për marrëdhëniet publike, për informacionet që lidhen me organizatat rinore dhe se si komunikimi në rrjete sociale është me të vërtetë i domosdoshëm për ta luftuar stigmën dhe diskriminimin së bashku, në mënyrë sistematike. Pastaj, se cilat janë këshillat kryesore që duhet t’i ndjekim në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për një të ardhme dhe një jetë më të mirë në Kosovë”.
Si gjithherë, këshilla e Radio KFOR-it për të gjithë të rinjtë është që të anashkalojnë dallimet mes tyre dhe të bashkohen në ide e projekte kreative, duke përçuar shembullin më të mirë të bashkëpunimit, bashkëjetesës dhe tolerancës.