“Sa më shumë gjuhë që njeh, aq më shumë njerëz vlen”, sigurisht këtë thënie e keni dëgjuar që nga klasat e para. Duke e ditur vlerën e njohjeve të gjuhëve lokale dhe të huaja, Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM) ofroi mundësinë e mësimin bazë të gjuhëve lokale, shqip dhe serbisht. Ky projekt i përkrahur nga KFOR-i përfundoi në korrik dhe pritet të fillojë papë në muajin shtator.
E pikërisht për këtë Radio KFOR-i kontaktoi, Arjeta Mehmetin, udhëheqëse e Shërbimeve të Studentëve, udhëheqëse e Departamentit të Marketingut si dhe koordinatore e Qendrës së Karrierës, e cila tha:
“Kursi i gjuhëve lokale shqip dhe serbisht është një mundësi unike dhe shumë e mirëpritur nga të rinjtë. Ky kurs zbutë barrierat e komunikimit ndëretnik. Gjithashtu ndihmon zhvillimin e karrierës. Pra, inkurajoj të rinjtë që të jenë pjesë e kurseve në IBCM.”
Nga ana tjetër, duke e falënderuar KFOR-in për përkrahje, udhëheqësja e Administrimit dhe Koordinimit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Mirjana Krsmanović Vlajić, tha:
“Njerëzit që flasin më shumë se një gjuhë kanë një mundësi shumë më të mirë për të përfituar në të gjitha sferat e jetës. Njohuria e gjuhëve lokale ndryshon edhe pamjen e botës, hap shumë mundësi të tjera dhe jam plotësisht e sigurt se do të kontribuojë në masë të madhe për afrimin, kuptimin më të mirë dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të komunitetit serb dhe shqiptar në Kosovë.”
Duke mësuar gjuhen e njeri-tjetrit, ne krijojmë një lidhje shoqërore, që është themeli për një shoqëri demokratike dhe tolerante.