Thatësia që ka goditur vendin tonë në dy vitet e fundit, ka bërë që rezervat e ujit të jenë në rënie të vazhdueshme. Së fundmi, Kompania Rajonale e Ujësjellësit – “Prishtina” ka filluar me hapat e dytë të implementimit të planit për menaxhimin e thatësisë. Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU- “Prishtina”, Sokol Xhafa njoftoi për orarin e reduktimeve të ujit:
“Nga data 15 gusht kemi filluar me reduktime në të gjitha zonat e shërbimit. Pjesa e zonave urbane do të ketë reduktime nga ora 24:00 deri në orën 04:00. Arsye pse reduktimet bëhen gjatë këtij orari është sepse kërkesa për ujë është minimale dhe nevojat e vetë konsumatorëve janë pothuajse zero përgjatë kësaj kohe. Sa i përket zonave rurale, atje reduktimet janë në një nivel pak më të lartë ose kushtimisht të themi më të ashpra për shkak se keqpërdorimi i ujit është shumë herë më i lartë në ato zona. Reduktimet atje fillojnë në orën 18:00 deri në orën 06:00. Kemi bërë një plan reduktimi, duke marr parasysh nevojat për ujë, por edhe përgjatë pandemisë të kenë furnizim të garantuar me ujë cilësor gjatë ditës”, kështu tha zotëri Xhafa dhe në fund u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e keqpërdorin ujin, të shmangin kyçjet ilegale dhe t’i paguajnë faturat, në mënyrë që kompania t’i rikthejë këto mjete në investime në të mirë të të gjithë qytetarëve.