Leximi është thelbësor për të ndihmuar fëmijët të kenë një zhvillim më të lartë dhe të bëhen shumë më të suksesshëm në jetë. Ekspozimi i fëmijëve me libra, është një urë që i lidh ata me suksese gjatë gjithë jetës. Kjo urë përfaqësohet jo vetëm nga prindërit, por edhe nga edukatorët dhe shoqëria. Nga ky ekspozim, ata fitojnë një perspektivë të vërtetë për jetën në moshë të hershme dhe mësojnë të formojnë mendime bazuar në njohuritë e marra nga leximi. Gjatë viteve më të rëndësishme të zhvillimit të fëmijëve, librat ndihmojnë në zhvillimin e imagjinatës dhe që ata të bëhen më kreativ.
Edukatorja në kopështin ‘Botanika’ në Prishtinë, Engjerlina Dukaj, tregoi për rëndësinë e leximit në moshë të hershme dhe praktikave që ajo përdor si edukatore me fëmijët: “Leximi është pjesë shumë e rëndësishme e rutinës së përditshme të fëmijëve, sepse efektet e leximit janë të mëdha. Duke filluar nga zhvillimi kognitiv dhe deri në fushat tjera zhvillimore. Ndër të tjera, përmes leximit tek fëmijët zhvillohet ndjenja e empatisë, sepse kur u lexojmë atyre, ata bëhen pjesë e ngjarjes që tregohet dhe bashkë ndjejnë me personazhet e librit dhe krijojnë personazhet e preferuara.”
Znj. Engjerlina, tregoi gjithashtu se si edukatore ajo e praktikon çdo ditë leximin për fëmijët në kohë të caktuar gjatë ditës dhe është një nga pjesët e preferuara të fëmijëve. Ajo po ashtu porositi të gjithë prindërit, që të ju lexojnë sa më shumë fëmijëve të tyre dhe të vazhdojnë ta bëjnë atë përgjatë gjithë zhvillimit të tyre.