Data e sotme 25 korrik, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Parandalimit të Mbytjes në Ujë”, ditë kjo e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me rrezikun e mbytjes dhe të parandalimit të tragjedive në ujë. Në një botë ku shumë njerëz jetojnë afër ujërave, si p.sh. deti, lumenjtë, liqenet dhe pishinat, siguria në ujë është një çështje që nuk mund të injorohet. Në këtë ditë, vihet në pah rëndësia e edukimit dhe ndërmarrja e masave për të parandaluar mbytjen dhe për të promovuar siguri në ujë. Mbytja në ujë, është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në nivel global dhe tragjedi të tilla, shpesh ndodhin për shkak të mungesës së njohurive rreth sigurisë në ujë, mungesës së aftësive për të notuar ose për të reaguar në situata emergjente apo edhe mosrespektimit të rregullave të sigurisë. Për të shmangur tragjeditë, disa nga masat që duhen të ndërmerren gjatë aktiviteteve në ambiente ujore, janë:
- Edukimi për notin: Është e rëndësishme që të gjithë të mësojmë të notojmë nga një moshë e hershme dhe të vazhdojmë të praktikojmë këto aftësi në mënyrë periodike;
- Mbikëqyrja: Mbikëqyrja e fëmijëve nga një person i rritur gjatë kohës së tyre në ujë, është kritike për të minimizuar rrezikun e mbytjes;
- Veshja adekuate: Veshja adekuate për not, është shumë e rëndësishme për të minimizuar rrezikun e mbytjes. Në të kundërtën, veshja jo adekuate mund të krijojnë vështirësi për not;
- Informimi për rrezikun: Nëse planifikoni të shkoni në një zonë ujore të panjohur, është e rëndësishme të informoheni për rrezikun dhe kushtet e ujërave atje. Informohuni për nivelet e thellësisë, rrënojat nën ujë, rrymën dhe çdo rrezik tjetër potencial që mund të hasni.
Referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në nivel global, mbi 230 mijë njerëz humbin jetën nga mbytja në ujë, ku shkalla më e lartë e mbytjes ndodh tek fëmijët e moshës 1-4 vjeç, të ndjekur nga fëmijët e moshës 5-9 vjeç. “Dita Botërore e Parandalimit të Mbytjes në Ujë” na rikujton se siguria në ujë është një përgjegjësi e përbashkët dhe se të gjithë ne duhet të marrim masa për të minimizuar rrezikun e mbytjes dhe për të promovuar sigurinë në ambientet ujore. Përmes edukimit, ndërgjegjësimit dhe masave preventive në ujë, mund të krijojmë një mjedis më të sigurt për të gjithë.