Në përmbyllje të kampanjës së kinematografisë, që është zhvilluar këtë muaj në Radio KFOR, i ftuar në kuadër të emisionit të mëngjesit sot (23.02) ishte regjisori i njohur Genc Berisha, i cili tashmë ka vendosur në ekranin e madh, disa filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Rreth karrierës së tij por edhe suksesit të tij të fundit si regjisor i filmit ‘Adnan Kafazi’, që aktualisht po shfaqet në kinematë nëpër Kosovë, Genci ndau rrugëtimin e tij me dëgjuesit tanë: “Të jesh regjisor është e vështirë, por një gjë duhet ta bëni, të mos dorëzoheni asnjëherë. Mos u ndikoni nga paragjykimet e njerëzve, por vazhdoni synimet tuaja. Një nga zhanret që unë dua është komedia dhe qasja në film është një lloj tregimi që e mban shikuesin. Kemi sfida edhe në prodhim, por eksperienca na ka ndihmuar që të përmirësohemi nga projektet e filmit të parë e deri në filmin e fundit.”
Disa nga projektet filmike të cilat ka drejtuar Genci, janë: “Të mjerët”, “Me mujt me bo, e kishim bo”, “Zonjusha”, “Diamanti” dhe së fundmi filmi “Adnan Kafazi”. Filmi ‘Adnan Kafazi’, kishte mbi 77 skena dhe u xhirua në një kohë rekord prej rreth 30 ditësh.
“Industria e filmit është maratonë dhe do të jeni gjithmonë aktiv, por që ky rrugëtim është i këndshëm dhe do ta shijoni“, përfundoi bisedën regjisori Genc Berisha me një mesazh për të gjithë ata të cilët duan të bëhen regjisorë në të ardhmen.