Bashkë me muajin mars, po vjen edhe numri më i ri i revistës ‘4You Magazine’. Si gjithmonë, redaksia e kësaj reviste ka punuar pandërprerë, për të sjellë pranë jush tema tejet interesante dhe intervista ekskluzive nga të preferuarit tuaj. Menaxherja e revistës ‘4You Magazine’, znj. Leonora Shabanaj Nikshiq, për Radio KFOR-in, ka treguar se në këtë edicion, në rubrikën ‘Music Box’, mund të lexoni intervistën ekskluzive me këngëtarin, YUNO. Në rubrikën ‘Shkolla e Muajit’, stafi i ‘4You Magazine’, ka vizituar EJHS “Haxhi Zeka”, në Pejë. Meqë shkurti, njihet si muaji i dashurisë, për shkak të shënimit të Shën Valentinit, në numrin e ri të ‘4You Magazine’, do të lexoni histori të shënimit të kësaj dite, do të udhëtoni nëpër botë, në qytetet më romantike si dhe do të keni mundësi të mësoni për filmat më romantik të të gjitha kohërave. Në rubrikën e sportit dhe shëndetit, do të mësoni më shumë për Kangaroo jumping (Kërcimet e kangurëve), ndërsa ithtarët e teknologjisë, do të gjejnë një artikull me këshilla praktike për përfitimet e teknologjisë për të rinjtë sot. Po ashtu, në rubrikën ‘Mendimi i Juaj Për…’, ju mund t’i lexoni mendimet e qytetarëve për ditën e ‘Shën Valentinit’, e po ashtu do ta zgjeroni diapazonin tuaj për shumë gjëra që mund të mos i keni ditur, përmes rubrikës ‘Did You Know’.
Këto janë vetëm disa prej temave interesante që mund t’i lexoni në këtë numër të revistës ‘4You Magazine’. Shfletojeni atë dhe padyshim do të gjeni shumë materiale të tjera interesante, nga të cilat do të mësoni por, me të cilat edhe do të argëtoheni deri në botimin e numrit të ri, në muajin mars.