Policia e Kosovës në çdo kohë, është e gatshme të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të Kosovës, e posaçërisht duke kontribuar në mbarëvajtjen e zhvillimit korrekt të trafikut në Kosovë. Rreth statistikave të aksidenteve në trafik, Radio KFOR-i kontaktoi Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës, të cilët ofruan statistikat e aksidenteve në trafikun rrugor, për 24 orët e fundit: “Gjatë kësaj periudhe, kanë ndodhur 23 aksidente trafiku me dëme materiale, 18 me të lënduar, e për fat të mirë, përgjatë kësaj kohe aksidente me fatalitet nuk ka pasur. Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1.652 tiketa trafiku, për të gjithë shkelësit e rregullave të trafikut.”
Policia e Kosovës, gjithashtu, informon se për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese, sipas ligjeve në fuqi.