Për herë të parë ndonjëherë, në hapësirat e Etno-kompleksit në fshatin Kukaj, do të hapet Festivali Ballkanik i pjekjes dhe promovimit të rakisë, “Rakia Fest”, i cili do të nisë me datën 19 tetor.
Demonstrimi interaktiv para publikut i pjekjes së rakisë në kazana bakri, spektakli i ndezjes së zjarreve, shoqëruar me programe muzikore nga bende të komuniteteve të rajonit, punëtoritë trajnuese, degustacioni dhe etno-ndejat deri në orët e vona, do ta bëjnë këtë festival të veçantë dhe si një pikë takimi të kulturave dhe popujve të rajonit.
Vlen theksuar se festivali në fjalë, ka për qëllim promovimin e artit dhe prodhimit artizanal të rakisë si një vlerë e trashëgimisë kulinare të popujve të Ballkanit.
Festivali përfundon më 21 tetor përmes punëtorive kreative, degustimeve të produkteve të pjesëmarrësve në festival, me shpalljen e fituesve dhe me një program muzikor.