Agjensionet dhe organizatat emergjente në Kosovë në bashkëpunim me KFOR-in kanë përfunduar me sukses trajnimin ushtrues ‘Shpata e Argjendtë’, e cila shërben në trajnimin dhe koordinimin e palëve të ndryshme në situata emergjente në Kosovë.
Ky ushtrim mblodhi të gjitha institucionet e sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare duke krijuar një rrjet koordinimi, bashkëpunimi dhe të procedurave që duhet ndjekur në një rast aktual emergjent.
Me këtë rast, në ditën përmbyllëse të ushtrimit, Gjenerali i KFOR-it Salvatore Cuoci, në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in, tregoi për përshtypjet e tij për këtë ushtrim si dhe për benifitet që sjell ky ushtrim:
“Kjo ishte hera e parë që ne po e bëjmë ushtrimin në këtë mënyrë dhe kemi pasur rezultate inkurajuese, duke parë 22 institucione që janë përfshirë në këtë ushtrim, kjo është diçka shumë e madhe dhe e konsideroj këtë një sukses. Unë e kam parë vullnetin e secilit prej agjencive dhe të gjithë pjesëmarrësve që ishin pjesë e këtij ushtrimi. Ky fakt, është gjithashtu një mënyrë e mirë për të rritur aftësitë e tyre dhe profesionalizmi i tyre është siguri për qytetarët e Kosovës. Pra, ne do të vazhdojmë me këtë ushtrim, sepse KFOR-i është i përkushtruar dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucionet vendore në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët”, theksoi ndër të tjera gjeneral Cuoci.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, po ashtu potencoi rëndësinë e këtij ushtrimi për institucionet në vend:
“Mendoj që është një ushtrim jashtëzakonisht i vlefshëm për të gjithë ne, për të gjitha institucionet e Kosovës e sidomos për ato të sigurisë dhe menagjimit të emergjencave. Mendoj që edhe ne si vend, duhet të jemi të përgatitur në rast se ndodhin raste emergjente. Ky ushtrim ka dëshmuar, që institucionet e Kosovës janë të afta që të ndërlidhen mes vete dhe të reagojnë në situata tilla”, tha Gjini.
Zëvendësi i kryetarit të Komunës së Ranillugës, Davor Petković, prezent në ‘Shpata e Argjendtë’, në një prononcim për Radio KFOR-in, vlerësoi rëndësinë e këtij ushtrimi:
“Është shumë me rëndësi për neve si komunë të marrim pjesë në këtë ushtrim dhe të shohim si punohet në këtë aspekt. Nisur nga pikëpamja ime, është një organizim mbresëlënës dhe krahasuar me vitin 2005 institucionet në Kosovë kanë zhvilluar edhe më shumë kapacitetet e tyre edhe pse ende duhet të punohet, por mendoj se ata janë në rrugë të drejtë” u shpreh Petković.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu, për Radio KFOR-in solli përshtypjet e tij për këtë organizim:
“Ky ushtrim është jashtëzakonisht impresiv, duke parë përfshirjen e më shumë se një mijë personave nga rreth 20 institucione të ndryshme. Prandaj, nuk është e lehtë të organizohet një ngjarje e tillë, duhet të ketë informacione të vazhdueshme, koordinime dhe bashkëpunime në mes të shumë institucioneve, prandaj është komplekse, madje edhe në vendin tim në Norvegji do të ishte një ushtrim kompleks, por është vërtetë impresiv dhe pozitiv për Kosovën”, tregoi Braathu.
Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë Natalia Apostolova, shprehu mendimin e saj për këtë ushtrim:
“Mendoj se është një ushtrim i nevojshëm dhe e përgëzoj gjeneralin Cuoci për këtë organizim, sepse nivele të ndryshme të menagjimit të krizave janë bërë bashkë dhe është e rëndësishme që këto institucione të bashkëpunojnë mes vete”, tha Apostolova.
Shefi i UNMIK-ut dhe njëherësh përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin, për Radio KFOR-in u shpreh:
“Thënë në një fjali të vetme, ky ushtrim është përkrahja më e madhe e KFOR-it për të ndihmuar të gjitha institucionet, se si të veprojnë dhe menagjojnë situata të komunikimit, koordinimit, vërshimeve, emigrimit apo eventualitete të tjera. Besoj që të gjithë pjesëmarrësit e kanë pranuar dhe u janë përgjigjur mirë këtij ushtrimi si dhe u ka shërbyer atyre”, u shpreh Tanin.