Jemi zyrtarisht në datën kur e gjithë bota shndritë nga zbukurimet shumëngjyrëshe që i përshkojnë jo vetëm shtëpitë tona, por edhe lagjet apo sheshet tona, në këtë muaj kur shumica e njerëzve, të vegjël e të rritur angazhohen për të zbukuruar ambientet e tyre të brendshme apo të jashtme. Prandaj, jo pa shkas, Radio KFOR-i, pikërisht sot (06 dhjetor), nisi kampanjën festive #HOLIDAYSEASON, me të ftuarën e parë, sipërmarrësen e njohur, znj. Shemsie Dërmaku, drejtoreshë e një prej kompanive më serioze në Kosovë ‘Grand Decor’.
Në bisedën e zhvilluar në studio, nga nikoqirja e emisionit, moderatorja Trëndelina Duli, znj. Dërmaku, zbuloi shumë të pathëna nga krijimtaria e saj 20 vjeçare në fushën e dekorimit, tregoi se sa e rëndësishme është procedura e përfshirjes së të gjithë familjarëve në procesin e dekorimit si dhe theksoi paralelen e organizimit të dasmave të dikurshme dhe atyre që realizohen sot: “Ne jemi të specializuar në fushën e dasmave, përveç anës sonë profesionale, mundohemi të jemi pranë dasmorëve, edhe në aspektin psikologjik, duke u munduar që t’ua heqim edhe stresin. Duke qenë për një kohë të gjatë në këtë profesion, kam vënë re ndryshime të mëdha në mes të dasmave që janë bërë dikur dhe ato që bëhen sot. P.sh., dikur çifti është shfaqur me shumë vonesë në sallë, derisa sot ata paraqiten të jenë sa më gjatë në dasmë, sepse fundja, dasma është e tyre. Përndryshe, çdo vit i ka trendet e veta dhe jo çdo herë mund të bazohemi në trendet botërore, por duhet të përshtatemi me ngjyrat e enterierit. Bredhat modern shkojnë me ngjyra të pastelit, më të lehta. E sa i përket oborreve, meqë natyra nuk na kufizon, jemi të lirë të përdorim të gjitha ngjyrat”, pohoi znj. Dërmaku .
Në fund të emisionit, znj. Dërmaku ndau edhe një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë që aspirojnë të bëjnë ndonjë biznes të tyre, që të mos dorëzohen karshi njerëzve skeptik, që mund të jua zbeh entuziazmin, por të këmbëngulin në realizimin në praktikë të ideve të tyre: “Që të jesh një grua e suksesshme, duhet ta kesh guximin, sepse ne kemi shumë gra kreative, të zonja, por u mungon guximi, shpesh ndodh që idetë e tyre t’i shprehin me njerëz që nuk i përkrahin ato. Bëhuni të guximshme dhe këmbëngulëse në realizimin e ideve tuaja.”