Dhuna në familje, është fenomen shqetësues që prek shoqëritë e mbarë botës. Secili banor në Tokë, ka përgjegjësi që të ndërtojë një të ardhme pa dhunë. E krahas kësaj, janë të shumë mekanizmat ligjor që mbrojnë viktimat e dhunës në familje dhe i dënojnë dhunuesit. Sa i përket Kosovës, dhuna në familje po vazhdon që të jetë shumë e shprehur e këtë e tregojnë edhe statistikat e Policisë së Kosovës, e cila bënë të ditur se në periudhën Janar-Tetor të vitit 2022, janë raportuar 2.273 raste të dhunës në familje. Në një intervistë për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, tha: “Policia e Kosovës, si institucion i ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të detyrave dhe autorizimeve që i përkasin, që nga themelimi i saj ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje, me ç’rast në vazhdimësi ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje, duke potencuar se dhuna nuk ndalet pa u raportuar dhe pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje, janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve me seriozitet, që ka bërë që rastet e tilla, të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite. Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen edhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale (QPS), Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë, prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.”
Ndërkohë, në vazhdën e realizimit të aktiviteteve, me qëllim parandalimin e rasteve të tilla, me datën 25.11.2022, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me zyrën e UN- Women, ka filluar zbatimin e fushatës sensibilizuese “16 ditë aktivizimi kundër dhunës në familje”. Në kuadër të kësaj fushate, Policia e Kosovës ka përgatitur edhe fletushkat “NDAL DHUNËN NË FAMILJE -Jeto i lumtur”, përmes së cilave policia kërkon nga të gjithë, që të raportojmë dhunën në familje edhe përmes e-mail adresës info@kosovopolice.com , përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’’ apo edhe përmes numrave, nga telefonia fikse 092, nga VALA 192, nga IPKO 922 dhe 080019999.
Mos hesht, RAPORTO, sepse me heshtje e lejojmë dhunën në familje!