Në kuadër të kampanjës #SportK4, e cila filloi sot (04.11.22), në Radio KFOR, i ftuari i parë në emisionin e mëngjesit, ishte trajneri i futbollit, z. Dardan Llagjaj.
Z. Llagjaj është një ish-futbollist i njohur dhe një trajner i suksesshëm në QS- ‘Prishtina’ dhe aty trajnon gjeneratat e reja, deri në moshën 12 vjeçare.
“Sporti ka një ndikim shumë të rëndësishëm në jetën e fëmijëve, meqë ndikon direkt në shëndetin fizik dhe mendor”, kështu tha z. Llagjaj dhe më tutje përgjatë emisionit të drejtpërdrejtë shtoi: “Aktivitetet sportive kanë ndikim në aftësitë e menaxhimit të kohës, të vendosjes së objektiva, rrisin socializmin dhe punën në grup, i mëson të rinjtë të ballafaqohen me probleme në jetë, i mëson të jenë këmbëngulës, të kërkojnë fitoren deri në fund. E kohëve të fundit, lojërat elektronike i kanë pasivizuar fëmijët, por sporti është rruga më e mirë që i largon ata nga teknologjia.”
Trajneri Llagjaj, tregoi gjithashtu se të jesh një sportist i suksesshëm, duhet t’i kushtohet rëndësi ushqimit, ku që nga mosha e hershme duhet të merren karbohidratet, proteinat dhe yndyrat e shëndetshme dhe organike. Në fund të intervistës, z. Llagjaj pati a edhe një mesazh: “Mesazhi im është që fëmijët të zgjedhin një sport ku ata ndihen mirë, rehat, sepse aty tregojnë rezultate më të mira në shkollë dhe do të jenë më produktiv në jetë.”
Aktiviteti fizik i rregullt është një nga gjërat më të rëndësishme që ndikon në shëndetin e të gjitha moshave. Të qenit fizikisht aktiv, mund të përmirësojë shëndetin e trurit, të ndihmojë në menaxhimin e peshës, të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve, të forcojë kockat dhe muskujt dhe të përmirësojë aftësinë për të bërë aktivitete të përditshme.