Sot (6 tetor), në studion e Radio KFOR-it, të ftuar special për të hapur kampanjën e artit #RadioK4visualartcampaign , ishin piktori, z. Eshref Qahili dhe e bija e tij, po ashtu artiste dhe njëherit dhe Drejtoreshë e Galerisë ‘Qahili’, znj. Nita Qahili.
Profesor Qahili, njihet për stilin e tij unik, me një fushë përplot ngjyra, ku përmes ngjyrave në punën e tij artistike, imagjinatës dhe kreativitetit, manifeston të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Është vështirë që përgjatë një emisioni të tregohet e gjithë puna, suksesi dhe të arriturat që janë bërë përgjatë viteve, vizitat në vende të ndryshme të botës, takimi me artistë të njohur botëror, por mbi të gjitha, ne morëm një mesazh nga piktori Eshref Qahili: “Arti është fusha më e mirë për zhvillimin e kulturës. Besoj se me art mund të shtyhemi me Evropën dhe botën, ndërsa me lëmi të tjera, pak e kemi problem. Pra, duajeni artin, mendoni për artin dhe vazhdoni rrituni me art!”
Ndërsa, bashkëthemeluesja dhe njëherit drejtoresha e Galerisë ‘Qahili’, znj. Nita Qahili, e rritur në një familje artistësh dhe e rrethuar me art si dhe e ushqyer me dashurinë për të, patjetër që vendosi që ky profesion të bëhet pjesë e saj.
Duke u fokusuar tek galeria që ajo e drejton, artistja Nita, në Radio KFOR, tregoi se momentalisht Galeria ‘Qahili’, është duke u rinovuar dhe në momentin e finalizimit të punimeve, do të fillojnë përsëri me aktivitete të ndryshme, ekspozita, punëtori për fëmijë, të rritur, diskutime me artistë, me njerëz të fushave të ndryshme, të cilët ndikojnë direkt në art dhe shtoi: “Galeria, pritet të hapet në mes të muajit nëntor, me projektin e babit (Eshref Qahili), me promovimin e monografisë, ekspozitën e tij, por në të njëjtën kohë edhe diskutim dhe punëtori, që do të thotë do të jenë katër aktivitete në kuadër të rihapjes së saj.”
Arti nuk ka limit, e për të mësuar se kush do të jenë mysafirët e radhës përgjatë muajit tetor, në kuadër të kampanjës së artit #RadioK4visualartcampaign, ju vazhdoni shoqërohuni me muzikën më të mirë, me valët e Radio KFOR-it.