Vullnetarizmi dhe ndihma për njerëzit në nevojë, është një nga veprimet më humane njerëzore që duhet ndjekur si parim jetësor. Vullnetarizmi përbën aktet më fisnike dhe të mira që mund të bëj secili prej nesh. Sipas këtij parimi, një i ri nga Prishtina, Kushtrim Hajzeri, tash e disa vite ka ndihmuar të moshuarit, ka dhuruar dashuri e përkushtim për shumë kategori të njerëzve, nëpërmes punës vullnetare. Për Radio KFOR-in ai ndau një pjesë të eksperiencës së tij: “Puna vullnetare mundëson, që përveç ndihmës që i bën tjetrit apo një kategorie njerëzish, të plotësosh edhe një hapësirë personale, pa pritur asgjë në këmbim. Të gjithë kemi mundësi të bëjmë diçka që është e rëndësishme për funksionimin e dikujt tjetër, ngritjen e moralit apo për të mirën e përbashkët në rrethin ku jetojmë. Të gjithë ne në të ardhmen, papritur mund të jem në grupin e personave që kanë nevojë për ndihmën e tjetrit dhe kjo mund të shërbejë si nxitje për bërë atë që mundemi. Angazhimi që kisha si vullnetar në Down Syndrome Kosova dhe në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, ka bërë që të marrë më shumë sesa kam dhënë. Kjo pasi, çdo ndihmë e vogël që kam dhënë më është kthyer me dashurinë më të sinqertë që mund ta jap njeriu.”
Me të njëjtin vullnet dhe dashuri vepron edhe punëtorja mjekësore, Dragana Slaviq, e cila ka treguar ndihmën e saj si vullnetare, gjatë valës së parë të pandemisë së COVID-19: “Isha vullnetare në selinë lokale të krizës gjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, unë aplikova për të ndihmuar njerëzit mbi moshën 65 vjeç, që jetojnë vetëm. Megjithëse, nuk kishte shumë njerëz të tillë, sepse të gjithë kishin kryesisht dikë që të kujdesej për ta, unë isha në gatishmëri për ndihmë në çdo kohë.”
Kushtrimi dhe Dragana përbëjnë shembuj të mirësisë dhe dashurisë, që secili prej nesh duhet ta ketë, për ta bërë shoqërinë dhe botën më të mirë për të gjithë.