Që nga data 1 nëntor, është hapur thirrja për paraqitjen e filmave për pjesëmarrje në festivalin ‘PriFest – 2021’, në dy platforma FilmFreeway dhe FestHome.
Edicioni i 13-të me radhë i festivali ‘PriFest’, do të vijë me ndryshime në përbërjen e programit të tij, tha kështu për Radio KFOR-in Drejtoresha e PriFest, Vjosa Berisha: ‘Pas mbajtjes së edicionit të 12-të, sipas traditës, tani i kemi shpallur datat për mbajtjen e edicionit të 13-të, të ‘PriFest’, që do të mbahet përgjatë datave 13 dhe 18 korrik, të vitit 2021.Shpresojmë që edicioni i 13-të të mbahet fizikisht, normalisht nëse edhe situata me ‘Covid-19’, do të qetësohet. Risi e edicionit të ardhshëm është rikonstruktimi i programeve të ‘PriFest’, ku në edicionin e ardhshëm ‘Programi Evropian’, nuk do të jetë më në konkurrencë, pasi tashmë ky festival është i hapur për konkurrencë globale, pra është i hapur për filmat nga e gjithë bota.”
Sipas znj. Berisha, edicioni i 13-të do të vijë edhe me programin e filmave të shkurtër dhe komedive Evropiane.