Rruga drejt suksesit dhe kurorëzimi i një pune të suksesshme jo gjithmonë janë të lehta, por me përkushtim dhe këmbëngulje mund të arrihen të gjitha. Psikologu nga Prishtina Bind Skeja, i diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze në botë ‘University of York’, në Angli, me punën e tij ka bërë një ndryshim në shoqëri dhe po ndihmon me mijëra njerëz çdo ditë. Në vitin 2019, ai bashkë me një ekip psikologësh nga Prishtina, krijuan qendrën ‘Linja e Jetës’, një linjë telefonike që është e hapur 8 orë, për të ndihmuar njerëzit të cilët përballen me depresion apo kanë mendime për vetëvrasje.
Për të mësuar më shumë rreth aktiviteteve në qendrën ‘Linja e Jetës’, Radio KFOR-i ka intervistuar psikologun Bind Skeja: “Rrugëtimi drejt ‘Linjës së Jetës’ ka qenë i gjatë, jo i lehtë dhe duke e marrë parasysh temën me të cilin kemi zgjedhur që të ballafaqohemi, shpesh herë e mbështjellë edhe në tabu. Në vitin 2019, 3 vjet pasi që është konceptuar ‘Linja e Jetës’, kemi marrë përkrahjen e nevojshme për ta realizuar nëpërmjet Aleancës Evropiane Kundër Depresionit dhe Linjës Holandeze “113”. Pas kësaj, në Nëntor të vitit 2019, Linja e Jetës është bërë realitet. Iniciativa të tilla nuk janë asnjëherë të lehta që të realizohen, por sidoqoftë, diçka që është e nevojshme, e cila shtyhet me pasion, herët apo vonë e gjen rrugën. Rinia sidomos mund të ballafaqohet me situata që janë demoralizuese, por po shpresoj se ‘Lija e Jetës’, mund të shërbej si inspirim për ta gjet rrugëtimin e tyre, që të mos dorëzohen kundrejt presionit apo stagnimit.”
Që nga themelimi i saj, në nëntor të vitit 2019, ‘Linja e Jetës’ ka pranuar mbi 2000 thirrje nga persona të cilët kanë pasur mendime për vetëvrasje dhe të cilët kanë nevojë të flasin për gjërat që po i mundojnë. Psikologu Skeja, padyshim paraqet shembullin më të mirë se me punë dhe guxim ne mund të bëjmë ndryshime, jo vetëm në shoqëri, por edhe në botë.