Pse është e rëndësishme të kemi ‘role model’ në jetë?
Si të rinj në moshë, secili nga ne ka pasur një person më të moshuar, të cilin e kemi admiruar për shumë arsye dhe jemi inspiruar nga veprimet e tij apo të saj.
Zakonisht kanë qenë prindërit, mësuesit apo ndonjë fytyrë publike, të cilët i kemi përcjellur vazhdimisht dhe më pas kemi kopjuar veprimet e tyre. Dikush, një gjë të tillë e bën qëllimshëm, por dikush tjetër ndikohet aq shumë nga njerëzit që admiron, saqë nuk e vëren ndikimin e madh që kanë në jetën e tij apo saj.
Personat e tillë njihen si ‘role model’ dhe përzgjedhja e tyre është shumë e rëndësishme në formimin e personalitetit tonë. Akoma më e rëndësishme është që ne të përzgjedhim ‘role model’ sa më pozitivë, sepse ata na motivojnë në përpjekjet për zbulimin e potencialeve tona dhe mposhtjen e dobësive.
Radio KFOR-i ka biseduar me disa dëgjues, të cilët i ka pyetur për ‘role model’-et e tyre.
Për Lauretën, model inspirimi është personi më i shenjtë në jetën e saj – nëna.
“Secili prej nesh ka një model inspirimi, të cilin dëshiron ta ndjekë, mund të jenë këngëtarë, sportistë apo aktorë, por për mua model që kisha dashtë me ndjek dhe motiv jetësor është nëna ime. Ajo edhe pse nuk i përket profesionit të cilin unë e ushtroj, e që është profesioni i gazetarisë, ajo më ka motivuar me ndjek dhe me ushtru profesionin tim në mënyrën më profesionale të mundshme . Prandaj, unë këtë e kisha zgjedh si model dhe që kisha dashtë me ndjek deri në fund”.
‘Role model’-et më të mira në një shoqëri janë ata që bëjnë punë të mira për komunitetin ku jetojnë, dhe përçojnë mesazhe pozitive, thotë dëgjuesi tjetër i Radio KFOR-it, Besniku.
“Zakonisht njerëzit e kuptojnë famën, apo njerëzit e famshëm janë ata që e kanë një reputacion të gjerë në rrethin ose shoqëri, të cilët munden me qenë të suksesshëm në fusha të ndryshme, qoftë në sport, në art, qoftë në shkencë, por për mua, fama është një koncept pak më ndryshe, ndoshta nuk lidhet me publicitetin. Për mua, role model mundet me qenë secili njeri që bën punë të mira për komunitetin në të cilin jeton, i cili jep mesazhe të mira, modele të cilat njerëzit munden me i ndjek. Fatkeqësisht jo të gjithë njerëzit kanë mundësi të lëvizin, të shohin gjëra të mira, të shëtisin botën, të bëjnë aventura, e kur ka njerëz që dinë gjëra të mira me i transmetu te ata që nuk kanë mundësi, për mu ata njerëz janë heronjtë më të mëdhenj”.
Të kesh një role model në jetë është gjë e bukur, por të jesh role model për dikë është e jashtëzakonshme. Secili njeri është i veçantë në mënyrën e tij, andaj, pak nga ne kemi ‘role model’-e të përbashkëta. Pikërisht, kjo shumëllojshmëri mes njerëzve e bën botën vend më të mirë për të jetuar.